Ministri Shalsi: Certifikimi i fermerëve nga Global G.A.P garanton cilësinë e prodhimeve bujqësore

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes z. Eduard Shalsi mori pjesë në certifikimin e fermerëve nga Global G.A.P në qytetin e Lushnjës.

Ministri Shalsi përgëzoi kompaninë Doni Fruits për organizimin dhe 58 fermerët për marrjen e certifikatës.

Në vijim Ministri u shpreh: “Ky standard ofron një mundësi të artë për tu ndjekur nga kompanitë dhe fermerët e tjerë në Shqipëri. Unë ju siguroj se qeveria shqiptare do të mbështesë fermerët dhe eksportuesit, duke i ndërgjegjësuar për certifikimin në grup”.

Sativa është organi certifikues ndërkombëtar, me seli në Portugali, e cila ka certifikuar Doni Fruits dhe 58 fermerët që e furnizojnë këtë kompani. Partneri shqiptar i tyre, Albinspekt, u dorëzoi certifikimin, ku i pranishëm ishte edhe Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, z. Patrik Meier.

Kjo është hera e parë që certifikimi në grup nga Global G.A.P i jepet një eksportuesi me një grup kaq të madh fermerësh shqiptarë dhe hera e dytë që ndodh në Shqipëri prej janarit 2019.

Qëllimi i certifikimit Global G.A.P është inovacioni dhe përmirësimi i vazhdueshëm i të gjitha hallkave të sektorit, përshtatja dhe standardizimi në partneritet me të gjithë faktorët për një zgjidhje të përshtatshme për sigurinë e fermave në mbarë botën.

Post Author: Egli Lilo