Konferenca Ndërkombëtare e Biznesit në Gjeorgji/ Ministri Shalsi, prioritet krijimi i një mjedisi sa më të favorshëm për biznesin
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të biznesit me temë “Krijimi i një mjedisi të qëndrueshëm për biznesin në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore”, mbajtur në Tbilisi të Gjeorgjisë.
Mbrojtja e sipërmarrjes me institucione të dedikuara, si dhe forcimi i rolit të tyre në krijimin e një mjedisi të favorshëm për biznesin ishin fokusi kryesor i diskutimeve që u zhvilluan gjatë konferencës.
Gjithashtu, Ministri Shalsi nënshkroi një marrëveshje mirëkuptimi me homologun e tij në Gjeorgji, z. Irakli Lekvinadze me synim bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Faleminderit Ombudsmanit të Gjeorgjisë për këtë hap të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal që padyshim do të ndihmojë në përmirësimin e punës dhe sigurimin e një mbrojtje më të mirë për sipërmarrësit”, u shpreh Ministri Shalsi.
Të pranishëm në këtë konferencë të organizuar nga Ombudsmani i Biznesit në Gjeorgji, me mbështetjen financiare edhe të qeverisë suedeze, ishin përfaqësues të biznesit dhe politikës nga shtete të ndryshme të botës, të cilët ndanë eksperiancat e tyre.