Interpelancë me biznesin për fiskalizimin, Ministri Shalsi: Fazë e suksesshme me ndryshime të mëdha
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, së bashku me Ministren e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, Drejtoreshën e Tatimeve znj. Delina Ibrahimi dhe Drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, znj. Mirlinda Karçanaj, zhvilluan një interpelancë me përfaqësues të biznesit lidhur me reformën e Fiskalizimit.
Ministri Shalsi theksoi se ky është rasti i parë në Shqipëri që ligji është i ekspozuar ndaj komenteve dhe udhëzimeve, çka përbën një mundësi të artë për të ezauruar çdo lloj pikëpyetje që kemi mbi zbatimin e ligjit.
“Besoj fort se falë komunikimit të vazhdueshëm jemi shumë afër zgjidhjes së problematikave të parashtruara, një pjesë e të cilave shoh që tashmë janë pasqyruar në draft-ligjin e ri. Shumë e rëndësishme të biem dakord që ky ligj është domosdoshmëri për stadin aktual të zhvillimit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, kemi të gjithë mundësinë me hapësirat e krijuara që ta bëjmë ligjin lehtësisht të aplikueshëm, tashmë që jemi të gjithë në dijeni dhe në mbështetje të dobive që do të sjellë ky fiskalizim për klimën e biznesit dhe ekonominë në tërësi”, përfundoi Ministri Shalsi.
Projekti i fiskalizimit është një proces transformues, i cili do të shtrihet në disa faza që prej datës 1 janar 2020 me synim vendosjen online të të gjitha kasave fiskale, në kuadrin e luftës kundër informalitetit.