Ministri Shalsi: Gratë Sipërmarrëse, investim për një shoqëri më të mirë dhe ekonomi më të begatë
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi ishte i pranishëm në Forumin e Grave Sipërmarrëse të zhvilluar në Tiranë. Zonjat pjesëmarrëse ndanë eksperiencat e tyre prej vitesh në biznes edhe në pozicione drejtuese.
“Jam i nderuar që jam pjesë e një kabineti qeveritar që ka më shumë se gjysmën e ministrave gra, 50% e këshillave bashkiakë janë gra e vajza dhe përqindja e grave dhe vajzave në Parlament është gjithnjë e më shumë në rritje. Një Shqipëri më e begatë e ka të domosdoshme përfshirjen e sa më shumë grave dhe vajzave në vendimarrje” – u shpreh Ministri Shalsi.
“Ndihem shumë i priviligjuar që ndodhem mes zonjave të nderuara, të përkushtuara, të palodhura dhe model për tu ndjekur”- përfundoi Ministri Shalsi.
Roli i grave në sipërmarrje vitet e fundit ka marrë një vëmendje të madhe nga aktorët kryesorë politikbërës dhe biznesi. Sipas INSTAT në vendin tonë 25.5 % e grave janë të përfshira në tregun e punës me pagë, ndërsa pjesa tjetër janë të punësuara në biznese familjare apo të vetëpunësuara. 42 % e grave janë të punësuara në sektorin bujqësor, sektor që ka përfshirjen më të lartë të grave.