Interpelancë për taksën e produkteve të plastikës / Shalsi: Bashkëpunim për të ulur nivelin e evazionit në këtë sektor

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, së bashku me ministren e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, përmes platformës së Bashkëqeverisjes zhvilluan një interpelancë me përfaqësues të biznesit mbi ndryshimet në Paketën Fiskale sa i përket taksimit të produkteve plastike dhe lëndëve të para që importohen për prodhimin e tyre.
Ministri Shalsi theksoi faktin se ky ndryshim në Paketën Fiskale ka ardhur si propozim i biznesit, referuar edhe ndryshimeve në kodin doganor.
“Jemi ende në fazë axhustimi institucional. Duhet pranuar që ky sektor ka një masë të madhe informaliteti dhe evazioni. Kemi një mospërputhje të inputeve të importuara dhe produktit përfundimtar. Disa prej pikave të ndryshimeve në Paketën Fiskale duhet të rishikohen dhe nëse është e nevojshme do të shkojmë edhe drejt ndryshimeve ligjore”, u shpreh Ministri.
Gjithashtu Ministri përmendi edhe bujqësinë, si një sektor i afektuar nga ndryshimet në Paketën Fiskale.
“Jemi krenarë për atë çka kemi arritur në këtë sektor, i cili do të vazhdojë të jetë në vëmendjen tonë”, përfundoi Ministri.
Rishikimet e regjimit fiskal do të përgatiten brënda këtij muaji dhe do të diskutohen me përfaqësues të bizneseve.

Post Author: sipermarrja.ime