Pas denoncimit të ngritjes së një biznesi pa leje të shfrytëzimit të ujërave të lumit Vjosë, në Grykën e Këlcyrës, ministrat Sonila Qato dhe Blendi Klosi udhëtuan drejt vendit ku janë hedhur kolonat dhe betoni për devijimin dhe shfrytëzimin e ujërave.
Të shoqëruar edhe nga Kryetari i Bashkisë së Këlcyrës, përfaqësues të pushtetit vendor, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe Ministri i Turzimit dhe Mjedisit inspektuan të gjithë zonën e prekur nga ndërtimi.
Ministrja Qato u shpreh se “sipermarrja duhet të kryejë detyrën e saj dhe me pas të kërkojë të drejtat! Është e papranueshme që të ndërtohet pa leje! Është e patolerueshme që kompanitë të kryejnë krime mjedisore duke u sjellë me natyrën si mall pa zot!”
Ministrja Qato theksoi se do ta mbrojmë sipërmarrjen nga çdo padrejtësi e burokraci e tepërt, por përherë konform me ligjin.