Të gjithë e dinë sot sesa të nevojshme e ka Shqipëria thithjen e investimeve të huaja. Qeveria, në kushtet kur projektet e gazsjellësit TAP dhe hidrocentralit të Devollit po përfundojnë ka parashikuar një rritje ekonomike 4% për këtë vit.
Me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit në vend dhe thithjes së investimeve të huaja të mëtejshme Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në bashkëpunim me FIAA, kanë organizuar një takim me investitorët e huaj në vend, ku dhe kanë prezantuar Librin e Bardhe (2018-2021), një material me rekomandime për Qeverinë, i rakorduar nga grupet e interesit në bashkëpunim me ministrinë.
Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, u shpreh se ky bashkëpunim ndërmjet zyrës së Ministres dhe Shoqatës së Investitorëve të huaj ka për qëllim “që ju të rrisni kapitalet tuaja për investime të metejshme në sektoret që mbuloni dhe të thithim tjera investime të huaja, për të garantuar jo vetëm rritje ekonomike por edhe punësim të qendrueshëm dhe me standarde të larta në vendin tonë.”
Ministrja u ndal tek punësimi, pikërisht si një ndër prioritetet e Qeverisë, ku theksoi se sfida e qeverisë për këtë mandate është të kthejë gjithë vëmendjen e të rinjve drejt prespektivës së tyre në karrierë, drejt sektorit privat duke bërë biznes.
Libri i Bardhë i prezantuar në këtë takim, dhe i botuar online në adresën e Ministrisë, adreson çështjet më të rëndësishme të të bërit biznes në Shqipëri, të cilat ndikojnë direkt në klimën e biznesit dhe gjithashtu, jep rekomandime se si ligjet duhet të përmirësohen, në mënyrë që të mbështetet më mire hyrja e investimeve të reja në të ardhmen.Çështjet që ky dokument paraqet janë trajtuar nga anëtarët e FIAA në bashkëpunim me zyrën e Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe reflektojnë propozimet konkrete të të grupeve të interesit.