Komuniteti i biznesit duhet të jetë i përfaqësuar në strukturat vendimmarrëse, ky është dhe një ndër misionet kryesore të Ministres së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Në kuadër të këtij misioni Këshilli Ekonomik Kombëtar është bërë pjesë e fushës së pëgjegjësisë dhe administrimit të Ministrisë për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Ministrja Qato, gjatë prezantimit të ndryshimeve në projektligjin “Për krijimin dhe funksionimin e KEK”, u shpreh se kjo strukturë është mbështetur nga sipërmarrja vendase dhe e huaj, si dhe nga institucione ndërkombëtare si FMN apo Banka Botërore. Ministrja Qato theksoi se Këshillit Ekonomik Kombëtar është struktura më e lartë këshilluese, dhe si e tillë, pritet që me këto ndryshime do të rrisë zërin e sipërmarrjes në politikat ekonomike.”
“Ky ligj është hartuar në mënyrë që Këshilli Ekonomik Kombëtar të vendosi raporte dhe lidhje pune të drejtpërdrejta me qeverinë dhe me sipërmarrjen duke institucionalizuar kështu një strukturë të përbashkët të punës midis sipërmarrjes dhe qeverisë. Këshilli Ekonomik Kombëtar ka funksionin e tij këshillues për qeverinë dhe për Kuvendin e Shqipërisë për gjetjen e rrugëve më të përshtatshme për përshpejtimin e rritjes ekonomike dhe të punësimit në vend dhe krijimin e një kuadri ligjor nxitës për ekonominë, biznesin dhe investimet në vend.”– u shpreh ministrja në fjalën e mbajtur.
Në projektligjin e paraqitur nga Qeveria synohet që sekretariati teknik i Këshillit Ekonomik Kombëtar do të ristrukturohet thellësisht dhe do të vihet në varësi dhe në funksion të fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Është me rëndësi të theksohet se ndryshimet e propozuara nuk mbartin efekte financiare për buxhetin e shtetit, përveç efekteve financiare për pagat e personelit të sekretariatit teknik.