Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato ka nisur tashmë prej disa javësh një cikël vizitash pranë selive të sipërmarrjeve në të gjithë Shqipërinë.
Këto vizita kanë për qëllim njohjen në terren të investimeve kryesore në vend, të problematikave dominuese të çdo sipërmarrësi si dhe skanimit të situatës sa i takon ofertave për punësim dhe nevojave reale të tregut, me qëllim hartimin e rekomandimeve konkrete ndaj Qeverisë për sektorin e punësimit, të njohur nga Qeveria si një nga prioritetet e këtij mandati.
Ministrja Qato gjatë takimeve të saj të vijuara, ka theksuar se është i nevojshëm një shqyrtim i kujdesshëm i nevojave të tregut për të orientuar më pas politikat e Qeverisë për punësimin në përgjigje të plotë me kërkesat e ngritura nga vetë sipërmarrësit.
Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes i ka nisur vizitat e saj nga Tirana, duke vijuar më pas me qarqe si Shkodra, Fieri, Berati, ku dhe ka mundur të përftojë një panoramë të plotë të situatës në vend duke prekur nga afër struktura të ndryshme si, biznese të vogla apo ndërmarrje të mëdha që numrojnë mijra punonjës. Gjatë këtyre vizitave ministrja nuk ka hezituar të mbledhë dhe propozimet ndaj Qeverisë të grupeve të ndryshme të interesit sa i takon sektorëve të larmishëm ku këto biznese operojnë.
Në fund të vizitave, në kuadër të aksionit të ujit të ndërmarrë nga Qeveria, ministrja Qato nuk ka harruar të rikujtojë tërë bizneset për të qenë të përpiktë në shlyerjen e detyrimeve sa i takon pagesave të ujit dhe gjithashtu të sensibilizojnë punonjësit e tyre që të kryejnë një veprim të tillë dhe në banesat e tyre.