Më shumë siguri për pushuesit ofron në këtë sezon plazhi i Shëngjinit, aty ku në një vijë bregdetare rreth 2 Km janë ndërtuar 7 kulla vrojtimi, çdo 250 metra.
Kullat e pajisura edhe me personel të trajnuar për t’u ardhur në ndihmë pushuesve në raste emergjente, janë ngritur së fundmi falë bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me bizneset e zonës.
Për të inspektuar përfundimin e këtij angazhimi nga bizneset e zonës, ishin të pranishme edhe dy ministret, Lindita Nikolla dhe Sonila Qato.
Ministrja Qato kërkoi nga biznesi t’i përgjigjen standardeve të kërkuara për një sezon me siguri të shtuar dhe me djem e vajza të mirëtrajnuar, të cilët do të ofrojnë ndihmën e tyre të specializuar në raste rreziku, duke rritur kështu edhe aktivitetin e sipërmarrjes.
“Ne 2 km plazh publik janë në shërbim të pushuesve të Shëngjinit, nga Tale tek Skaliera, 7 kulla vrojtimi të cilat në bashkëpunim me sipërmarrjen e zonës janë vënë në funksion gjatë këtij sezoni. Garantimi i sigurisë në plazhe këtë vit përforcohet me punësimin nga ana e sipërmarrjes të rojeve bregdetare të kualifikuar dhe të trajnuar nga Federata shqiptare të cilët plotësojnë standardet e kërkuara për sigurinë në plazh. U bëj thirrje të gjithë sipërmarrjes në vend që operon përgjatë vijës bregdetare që gjatë këtij sezoni turistik të rrisin masat e sigurisë për pushuesit përmes plotësimit të kushteve të kërkuara me kulla vrojtimi dhe roje bregdetare të kualifikuar, kërkesa që jo vetëm garantojnë sigurinë por edhe rrisin aktivitetin e sipërmarrjeve gjatë sezonit turistik” theksoi ministrja Qato.
Ndërkohë Shëngjini këtë vit ka edhe një kalendar të pasur me aktivitete rinore për të gjithë pushuesit i cili kanë nisur të zbatohet që në nisje të sezonit.