Mbështetja e bizneseve dhe fokusi në trajtimin e problematikave të veçanta, kanë qenë temat kryesore të diskutimit në mbledhjen e parë të Këshillit Strategjik, mbajtur ditën e sotme në ambientet e Ministrisë së Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Në fjalën e tij, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi theksoi prioritetet e ministrisë dhe iniciativat e ndërmarra me qëllim përmirësimin e klimës së bizneseve në vend.
“Jemi fokusuar në problematika të veçanta për biznese të ndryshme, por në të njëjtën kohë kemi patur synim që përmes diagnostifikimit dhe zgjidhjes së tyre, të identifikonim tipologjinë e rasteve, si dhe problemet institucionale”, u shpreh Ministri Shalsi.
Gjithashtu u diskutuan edhe disa prej çështjeve të zgjidhura gjatë tre mujorit të parë të vitit dhe çështjet e mbetura ende pezull nga ndryshimet e fundit të paketës fiskale. “Orientimi drejt politikave të suksesshme ekonomike nëpërmjet krijimit të një Qendre Kërkimi dhe Zhvillimi që stimulon modelin më optimal për hartimin e paketave fiskale afatgjata dhe të qëndrueshme, janë prioriteti ynë në vazhdim”, shtoi z. Shalsi.
Anëtarët e Këshillit shprehën vlerësimet e tyre pozitive për veprimtarinë e deritanishme të ministrisë, si një institucion plotësisht i hapur për ide, komente e vërejtje duke e bërë më të lehtë trajtimin e problematikave të biznesit, por jo vetëm.
“Komunikim, komunikim, komunikim! Kjo është motoja që na udhëheq në përditshmërinë tonë, me qëllim krijimin e urave të komunikimit ndërinstitucional”, përfundoi Ministri Shalsi.