Misioni
Misioni i ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes është të ndihmojë dhe të mbrojë sipërmarrjen private që ushtron aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, si dhe të promovojë bashkëpunimin ndërinstitucional në funksion të përmirësimit të shërbimeve publike ndaj sipërmarrjes. Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes e përmbush misionin e ndërmarrë nëpërmjet investigimit dhe trajtimit të ankesave administrative të sipërmarrjes, përfshirë ato të investitorëve strategjikë dhe/ose të huaj, kundrejt institucioneve publike, të cilat përfshijnë institucionet publike të pushtetit qendror, vendor, shoqërive publike si dhe të zyrtarëve të tyre. Një ndër detyrat e rëndësishme të këtij Institucioni është dhe hartimi i propozimeve për ndryshime ligjore me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Propozimet e dërguara në Këshillin e Ministrave vijnë si rezultat i ankesave të trajtuara dhe analizës e shqyrtimit të propozimeve të shumëllojshme dërguar nga vetë sipërmarrësit në adresën e Ministrit.
Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes promovon transparencën dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, për përmirësimin e shërbimeve publike, si dhe asiston sipërmarrjen në mbrojtjen e të drejtave të tyre ligjore të lidhura me aktivitetet e tyre, kundrejt institucioneve publike. Ministri ndërmjetëson komunikimin e sipërmarrjes me institucionet publike për zbatimin e kontratave, si dhe zhvillon mekanizma të zgjidhjes paraprake të mosmarrëveshjeve midis tyre.
Inkurajimi dhe zhvillimi i partneritetit dhe komunikimit midis institucioneve publike dhe sipërmarrjeve si dhe organizatave përfaqësuese të tyre është themelor për përmbushjen e këtij misioni.