Të dhënat vit pas viti dëshmojnë ngjitjen e turizmit si një ndër sektorët që sjellin më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, buxhetin sipërmarrës dhe atë familjar, me një kontribut direkt në PBB prej 8,5% dhe një vlerë të shtuar indirekte prej 26,2%. Turizmi është po ashtu edhe sektori që ka potencial të lartë tëpunësimit, nga ku 93 mijë kanë qenë të punësuarit direkt dhe mbi 291 mijë ishin të punësuarit total në këtë sektor përgjatë 2017-ës. Sipërmarrjet e akomodimit dhe të shërbimeve në funksion të turizmit janë rritur gjithashtu në trende konstante pozitive përgjatë gjithë viteve të fundit, ku nga 18,061 sipërmarrje që numëroheshin në 2014, numri shkoi rreth 22,785 në 2017. Sektori i shërbimeve të akomodimit dhe ushqimit përfshin restorantet, struktura të tjera ushqimi si dhe struktura akomoduese të tipit hotel, bujtinë, hostel etj. Ky sektor përbën rreth 15% të gjithë sektorit të shërbimeve si dhe 11% të të gjithë aktiviteteve ekonomike në Shqipëri.